Inspektimi i bazuar në rrezik
Inspektimi i bazuar në rrezik
Ligji për Inspektimet synon përmirësimin e mirëqenies publike duke zbutur rreziqet ekzistuese ose të mundshme që mund t’i rrezikojnë interesat publike, në veçanti shëndetin e njeriut, sigurinë dhe mjedisin.
Po ashtu ky ligj synon përdorimin sa më të mirë të burimeve të disponueshme përmes zbatimit efektiv dhe me kosto efektive që rrit besimin midis qytetarëve, bizneseve, konsumatorëve.
Ligji për Inspektime synon aplikimin në mënyrë transparente të rregullave dhe udhëzimeve dhe njoftimin me kohë dhe të parashikueshëm të veprimeve.
Për t’i arritur këto synime, sipas ligjit inspektoratet i bazojnë aktivitetet e tyre në konceptin e inspektimit të bazuar në rrezik, duke ndërmarrë veprime vetëm në masën e nevojshme. Në të njëjtën kohë, duhet siguruar që subjektet e inspektimit janë duke respektuar rregullat, me qëllim që të minimizohen pengesat në aktivitetet e rregullta tek subjekti që inspektohet.
Inspektimi bazuar në rrezik (IBRr), është një metodë parandaluese që ndihmon të parashikohen dhe shmangen burimet e mundshme të problemeve, në vend se të reagohet pasi që ato të kenë ndodhur.
IBRr-ja, përfshin një proces të zhvillimit të një skeme inspektimi që bazohet në njohuritë për rrezikun e dështimit. Kjo analizë e kombinon vlerësimin e gjasave të dështimit me pasojat e një dështimi potencial. Duke përdorur informacionin e fituar nga ky proces mund të identifikohet lloji i dëmit që mund të jetë i pranishëm, ku mund të ndodhë një dëm i tillë, shkallën me të cilën mund të zhvillohet një dëm i tillë, ku dështimi do të shkaktonte rrezik, etj.
Me ndihmën e inspektimit të bazuar në rrezik planifikohen masat e nevojshme për ta zvogëluar rrezikun dhe për t`i parandaluar dëmtimet e mundshme.
Rreziku është kombinimi i mundësisë që do të ndodh një ngjarje e padëshiruar dhe e madhësisë dhe ashpërsisë se dëmit të shkaktuar nëse kjo ngjarje e padëshiruar materializohet.