Zyra e Inspektorit të Përgjithshëm

Inspektimet

Inspektimet

Republika e Kosovës kryen inspektime duke u bazuar në parimet themelore për të siguruar transparencë, pajtueshmëri dhe drejtësi.

Organet inspektuese ofrojnë informacion të plotë publik gjatë ushtrimit të kompetencave të tyre në mënyrë profesionale.

Organet inspektuese punojnë për të ofruar mbështetje për subjektet e inspektimit, planifikojnë inspektime bazuar në rreziqe dhe inspektojnë vetëm sipas planit të inspektimit, përveç rasteve kur specifikohet ndryshe. Inspektimet bazohen në prova konkrete dhe synojnë të vendosin masat më të favorshme kur dispozitat ligjore janë të paqarta ose kontradiktore.

Parimet themelore të inspektimit në Republikën e Kosovës

Transparenca
Organet e inspektimit i ndajnë me publikun informacionet e përshtatshme, duke ruajtur të dhënat personale dhe sekretet e biznesit.

Pavarësia & Profesionalizmi
Inspektorët veprojnë në mënyrë autonome dhe profesionale, pa ndikim nga politika apo ndikime të tjera.

Proporcionaliteti
Inspektimet janë efikase me ndërhyrje minimale duke u bazuar në ashpërsinë, pasojat dhe rrethanat e shkeljes.

Koordinim dhe Racionalizim
Inspektime të koordinuara për ta shmangur dyfishimin dhe për ta siguruar efikasitetin e burimeve.

Qasje e bazuar në rrezik
Inspektime të planifikuara sipas niveleve të rrezikshmërisë, duke i ndarë subjektet e inspektimit në përputhje me rrethanat.

Mbështetje për subjektet e inspektimit
Masa aktive për ta ndihmuar pajtueshmërinë përmes udhëzimeve, manualeve dhe mjeteve teknologjike. 

Inspektime të bazuara në prova
Vlerësime objektive të bazuara në prova dhe matje të qëndrueshme.

Inspektimet e planifikuara
Inspektime vetëm sipas planit, përjashtim bëjnë rastet e parashikuara me ligj.

Dispozita ligjore më e favorshme
Kur ligjet janë të paqarta apo kontradiktore, inspektori vepron në mënyrën që cenon më pak subjektin e inspektimit.

Inspektimet e planifikuara

Inspektimet e planifikuara janë thelbi i garantimit të cilësisë dhe respektimit të standardeve ligjore. Këto inspektime miratohen në bazë të një plani vjetor inspektimi të përgatitur nga organet inspektuese.

Inspektimet e planifikuara organizohen duke përdorur një qasje të bazuar në rrezik, për t’u siguruar që zonat kritike janë kontrolluar në tërësi.

Inspektimet e planifikuara ndodhin në periudha të ndryshme: javore, dyjavore, mujore, tremujore, ose në çdo frekuencë tjetër për të cilën është rënë dakord.

Planet e inspektimit publikohen në uebfaqet e Zyrës së Inspektorit të Përgjithshëm dhe organit përkatës të inspektimit. Publikimi i planeve të inspektimit mund të jetë subjekt i përjashtimeve sipas ligjeve të veçanta.

 

Inspektimet e paplanifikuara

Inspektimet mund të jenë të papritura dhe kjo ndodh për një arsye të qëndrueshme. Një inspektim i paplanifikuar mund të kryhet edhe pa miratim paraprak sipas nenit 27 të Ligjit për Inspektimet.

Inspektimet e paplanifikuara mund të miratohen në raste të jashtëzakonshme kur ekziston dyshimi për shkelje të ligjit ose rrezik për interesin publik siç është shëndeti publik, siguria ose mjedisi, atëherë inspektori vendos për inspektim të paplanifikuar.

Inspektimi i paplanifikuar mund të vendoset në rast fatkeqësie ose dëmtimi serioz, në mbrojtje të interesit publik.

Inspektimi i paplanifikuar ndodh kur ekziston një ankesë e bazuar që nxjerr në pah shkeljen e ligjit dhe paraqet rrezik për interesin publik, atëherë organi inspektues vepron duke kërkuar inspektim të paplanifikuar.

Inspektimi i paplanifikuar ndodh kur kërkohet nga autoritetet vendore si gjyqësori, policia ose organe të tjera përkatëse.

 

Inspektimet e përbashkëta

Inspektoratet, krahas Zyrës së Inspektorit të Përgjithshëm, mund të bashkohen me institucione të tjera përkatëse në shtetin e Kosovës për të kryer inspektime të përbashkëta.

Inspektimi i përbashkët fillon me një kërkesë me shkrim, por në raste urgjente, bëhet edhe me kërkesë verbale. Kur inspektimi i përbashkët urgjent përfundon atëherë duhet dorëzuar konfirmimi me shkrim, ku duhet të theksohen arsyet e urgjencës për inspektim të përbashkët.

Duke bashkuar pikat e forta me institucionet e tjera, Zyra e Inspektorit të Përgjithshëm mund të maksimizoj efektivitetin e inspektimeve dhe të sigurojë mbikëqyrje gjithëpërfshirëse.

Riinspektimi

Riinspektimi ka për qëllim verifikimin e korrigjimit të shkeljeve të zbuluara në një inspektim të mëparshëm, si dhe është i kufizuar vetëm në shkelje dhe detyrimet e vendosura në procesverbalin e inspektimit të fundit. Riinspektimi mund të kryhet vetëm pas skadimit të afatit kohor që i është caktuar subjektit të inspektuar për korrigjimin e shkeljeve të konstatuara në procesverbalin e inspektimit të fundit.
Riinspektimi dhe afati i korrigjimit sipas këtij neni nuk përjashtojnë inspektimin për shkelje të tjera.