Zyra e Inspektorit të Përgjithshëm

Inspektori i Përgjithshëm

Inspektori i Përgjithshëm

Ushtruese e detyrës së Inspektorit të Përgjithshëm në Republikën e Kosovës është znj. Lyra Osmani Ahmeti. Ajo në këtë pozitë është emëruar në Shkurt 2023 nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti. Detyrat dhe përgjegjësitë e Zëvendësueses së Inspektorit të Përgjithshëm përcaktohen sipas Ligjit për Zyrtarët Publik. Inspektori i përgjithshëm i raporton Kryeministrit të Republikës së Kosovës.

Znj. Lyra Osmani Ahmeti

Ushtruese e detyrës së Inspektorit të Përgjithshëm në Republikën e Kosovës

Znj. Lyra Osmani Ahmeti është ushtruese e detyrës së Inspektorit të Përgjithshëm në Republikën e Kosovës, në të cilin pozicion është emëruar në shkurt të vitit 2023 nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti.
Përvoja e mëparshme profesionale e zonjës Osmani Ahmeti shtrihet në sektorë të ndryshëm të fushës së auditimit dhe financave, ndërsa në postin e saj aktual ajo vazhdon t’i përfshijë njohuritë dhe përvojën e saj të gjerë për t’i mbajtur standardet më të larta të auditimit, qeverisjes financiare, dhe të inspektimit në Republikën e Kosovës.
Znj. Osmani Ahmeti paraprakisht ka shërbyer auditore e brendshme në Zyrën e Kryeministrit, ku përmes përvojës së saj profesionale ka siguruar saktësinë dhe efikasitetin e proceseve financiare.

Përvoja e znj. Lyra Osmani Ahmeti është e lidhur edhe me kontributin e saj në postin e ligjërueses në Shoqatën e Kontabilistëve të Certifikuar dhe Auditorëve të Kosovës, ku është e angazhuar në lëndët: “Kontabiliteti financiar” dhe “Elementet e njohurive të Auditimit të Brendshëm”. Përmes ligjërimit në ShKÇAK, znj. Osmani Ahmeti ofron ndikim të rëndësishëm në formimin e profesionistëve të ardhshëm të kontabilitetit dhe auditimit.
Ajo po ashtu shërben si mentore në skemën e mentorimit të Rrjetit CSR Kosova, me angazhim në punëtorinë UPSHIFT: Social Impact të mbështetur nga IPKO Foundation dhe UNICEF-i.

Osmani Ahmeti ka përfituar përvojë profesionale si udhëheqëse e auditimit të brendshëm në Moneta shpk dhe Moneta Financial Services. Këto poste ia mundësuan asaj aplikimin e njohurive profesionale në kontekst ndërkombëtar. Ajo ka fituar përvojë të çmueshme si auditore e jashtme gjatë punës praktike në “PricewaterhouseCoopers”, një nga firmat më të njohura në botë që ofron shërbime profesionale të auditimit dhe këshillimit rreth taksave.
Zëvendësuesja e Inspektorit të Përgjithshëm në Republikën e Kosovës, po ashtu ka certifikime në fushën e auditimit të brendshëm, kontabilitetit, parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.

Znj. Lyra Osmani Ahmeti ka publikuar hulumtimet: “Niveli i zbatimit të IAS nga ndërmarrje të mëdha në Kosovë”, mars 2021, dhe “Lëvizshmëria ndërkombëtare dhe ndikimi i saj në arsim: Fitimi apo humbja e trurit”, maj 2013.
Zëvendësuesja e Inspektorit të Përgjithshëm është e diplomuar në departamentin për Banka, Financa dhe Kontabilitet të Fakultetit Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, ku i ka përfunduar edhe studimet e magjistraturës, teksa aktualisht i ndjek studimet e doktoraturës.
Znj. Lyra Osmani Ahmeti është e diplomuar edhe në drejtimin Administratë Publike, Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Studime Evropiane të Kolegjit “Universum”. Përveç gjuhës amtare shqipe, zonja Lyra Osmani Ahmeti e flet rrjedhshëm gjuhën angleze.