Zyra e Inspektorit të Përgjithshëm

Korniza ligjore

Ligjet

Ligji Nr.08/L-067 për inspektimet luan një rol të rëndësishëm në përcaktimin e parimeve të inspektimeve, organizimin e organeve të inspektuese dhe vendosjen e rregullave për koordinim dhe procedurat e inspektimit.

Zyra e Inspektorit të Përgjithshëm është një institucion kyç në këtë ligj, që i koordinon organet inspektuese në administratën shtetërore dhe atë komunale.

Ligji për Inspektimet zbatohet për të gjitha aktivitetet e inspektimit të kryera nga administrata shtetërore dhe komunat brenda Republikës së Kosovës përveç në: Inspektimet e doganave dhe taksave; Inspektimet që lidhen me parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terroristëve; Inspektimet e brendshme me karakter administrativ në administratën shtetërore dhe komunale; Inspektimet nga Inspektorati i Policisë së Kosovës; Inspektimet e sigurisë publike brenda ministrisë përgjegjëse për çështjet e brendshme.

Në disa fusha, mund të ketë ligje speciale që kanë dispozita unike për aspekte të ndryshme të procedurës së inspektimit. Këto ligje speciale jo vetëm që duhet të përputhen me parimet e përgjithshme të Ligjit për Inspektimet, por as nuk duhet të komprometojnë mbrojtjen e të drejtave dhe të interesave ligjore të subjekteve të inspektimit.

Në mungesë të një ligji special, zbatohen dispozitat e Ligjit për Inspektimet. Çështjet procedurale që lidhen me inspektimet dhe që nuk trajtohen direkt në këtë ligj, i ndjekin udhëzimet e vendosura nga Ligji për Procedurën e Përgjithshme Administrative.