Zyra e Inspektorit të Përgjithshëm

Rreth nesh

Zyra e Inspektorit të Përgjithshëm në Republikën e Kosovës

Mirë se vini në uebfaqen zyrtare të Zyrës së Inspektorit të Përgjithshëm (ZIP) në Republikën e Kosovës. Zyra e Inspektorit të Përgjithshëm është Agjenci Ekzekutive në kuadër të Zyrës së Kryeministrit të Republikës së Kosovës, e krijuar për koordinimin e sistemit të inspektimeve brenda administratës shtetërore dhe nivelit komunal.

Si pjesë e pandashme e angazhimit të Republikës së Kosovës për transparencë, llogaridhënie dhe qeverisje, Zyra e Inspektorit të Përgjithshëm është e përkushtuar për të garantuar standardet më të larta të integritetit dhe efikasitetit në të gjitha aktivitetet inspektuese në vend.

Zyra e Inspektorit të Përgjithshëm në Republikën e Kosovës luan një rol kyç në mbikëqyrjen dhe reformimin e sistemit të inspektimeve në vend. Duke përmirësuar funksionalitetin e sistemit të inspektimeve, ZIP kontribuon në standardet më të mira të shëndetit publik, rritjen e sigurisë, dhe në një mjedis më të shëndetshëm në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

Zyra e Inspektorit të Përgjithshëm në Kosovë është e përkushtuar jo vetëm në përmirësimin e proceseve të inspektimeve, por edhe në mbrojtjen dhe përmirësimin e mirëqenies së njerëzve dhe mjedisit në Republikën e Kosovës.

Misioni

Zyra e Inspektorit të Përgjithshëm ka për mision drejtimin e programit të reformës së inspektimit, koordinimin dhe mbështetjen e aktiviteteve të organeve inspektuese me objektivin përfundimtar uljen e barrës administrative mbi inspektimet, me qëllim të mbrojtjes së interesit publik, përfshirë shëndetin publik, publikun, sigurinë dhe mjedisin në territorin e Republikës së Kosovës. Drejtimi i programit të reformës së inspektimeve përfshin një varg përgjegjësish që synojnë ta përmirësojnë efikasitetin dhe efektshmërinë e aktiviteteve të inspektimeve në Republikën e Kosovës. Një aspekt kyç i misionit të Zyrës së Inspektorit të Përgjithshëm është koordinimi dhe mbështetja e aktiviteteve të ndryshme të organeve të inspektimit që operojnë në vend. Ky koordinim mundëson që organet inspektuese të harmonizohen dhe ta kenë një qëllim të përbashkët. Reduktimi i kostos administrative jo vetëm që i bën proceset më të rrjedhshme, por edhe ndihmon në krijimin e një mjedisi më miqësor për bizneset në vend.

Vizioni

Zyra e Inspektorit të Përgjithshëm udhëhiqet nga vizioni që ta krijojë një mjedis më të sigurt për të gjithë në Republikën e Kosovës, duke zbatuar parimet e inspektimit të bazuar në rrezik. Synim i Zyrës së Inspektorit të Përgjithshëm është krijimi i një mjedisi më të sigurt për qytetarët, bizneset dhe institucionet përmes eliminimit të mundësisë së rrezikut të shkaktuar nga dëmtimet, degradimi, dhe situata të tjera potencialisht të rrezikshme.

Detyrat dhe përgjegjësitë

Zyra e Inspektorit të Përgjithshëm punon për ta përmirësuar efektivitetin e inspektimeve në Republikën e Kosovës. Funksionet e ZIP-it janë thelbësore për të rritur nivelin e shërbimit të ofruar nga organet inspektuese. Detyrat dhe përgjegjësitë e Inspektorit të Përgjithshëm përcaktohen me Ligjin për Organizimin dhe Funksionimin e Administratës Shtetërore dhe të Agjencive të Pavarura, si dhe me Ligjin për Inspektimet.