Zyra e Inspektorit të Përgjithshëm ka organizuar punëtorinë dy ditore “Evidentimi i kërkesave ligjore për inspektim”, si aktivitet që i paraprinë përpilimit të listave të kontrollit për inspektime, me qëllim të rritjes së transparencës dhe efektivitetit të procesit inspektues, si një nga qëllimet e reformës në inspektime.
Gjatë kësaj punëtorie, inspektorët nga të gjitha inspektoratet e nivelit qendror, janë angazhuar dhe kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm rreth evidentimit të kërkesave ligjore për inspektim, duke u përkrahur nga ekspertët profesional të angazhuar nga donatorët mbështetës të Zyrës së Inspektorit të Përgjithshëm, si Banka Botërore, IFC, USAID dhe GIZ.
Këtë punëtori më të veçantë e ka bërë edhe pjesëmarrja dhe prezantimi nga eksperti ndërkombëtar z.Donald Macrae i cili prezantoi mbi trendet globale në reformat në inspektime, duke ndarë përvojën e tij shumëvjeçare në fushën inspektimeve dhe reformave të kësaj fushe në vende të ndryshme të botës.
Zyra e Inspektorit të Përgjithshëm falenderon të gjithë pjesëmarrësit nga inspektoratet dhe donatorët mbështetës, duke mbetur të përkushtuar për koordinim të aktiviteteve me Inspektoratet në Kosovë për një implementim të suksesshëm të reformës në inspektime.