Skip to main content

Zyra e Inspektorit të Përgjithshëm

Prishtinë | 1 korrik 2026

Zyra e Inspektorit të Përgjithshëm në kuadër të Zyrës së Kryeministrit të Republikës së Kosovës organizoi sot ngjarjen për prezantimin e Raportit të Përgjithshëm mbi Inspektimet për vitin 2025, me pjesëmarrjen e Kryeministrit në detyrë të Republikës së Kosovës z. Albin Kurti, përfaqësuesve të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, partnerëve zhvillimorë, komunitetit të biznesit dhe akterëve të tjerë të rëndësishëm.

Në fjalën e tij, Kryeministri në detyrë theksoi se miratimi i Ligjit për Inspektimet shënoi hapin e parë drejt reformës gjithëpërfshirëse të sistemit të inspektimit, ndërsa Raporti i Përgjithshëm mbi Inspektimet për vitin 2025 dëshmon progresin e arritur në zbatimin e kësaj reforme. Ai nënvizoi se inspektimet janë një mekanizëm kyç për garantimin e sundimit të ligjit, mbrojtjen e interesit publik, krijimin e një tregu të drejtë dhe forcimin e besimit të qytetarëve në institucionet shtetërore.

Duke iu drejtuar të pranishmëve, Inspektorja e Përgjithshme, znj. Lyra Osmani Ahmeti, theksoi se ky raport publikohet në një periudhë të rëndësishme të konsolidimit të reformës, kur sistemi po kalon nga ndërtimi i kornizës ligjore dhe metodologjike drejt zbatimit të plotë të saj në praktikë.

Ajo theksoi se Raporti paraqet jo vetëm rezultatet e punës së Zyrës së Inspektorit të Përgjithshëm dhe organeve inspektuese, por edhe dëshmon transformimin gradual të sistemit të inspektimit në Republikën e Kosovës në një sistem modern, transparent, profesional dhe efektiv, i cili kontribuon në rritjen e cilësisë së shërbimeve publike, mbrojtjen e interesit të qytetarëve dhe krijimin e një mjedisi të favorshëm për zhvillim ekonomik.

Raporti i Përgjithshëm mbi Inspektimet për vitin 2025 paraqet të arriturat, sfidat dhe rekomandimet për avancimin e mëtejmë të reformës së inspektimeve, duke riafirmuar përkushtimin e Zyrës së Inspektorit të Përgjithshëm për ndërtimin e një sistemi inspektues të unifikuar, efikas dhe të bazuar në transparencë, profesionalizëm dhe llogaridhënie.